Kurrikula e re e GJIMNAZIT

Ministria e Arsimit dhe Sportit prezantoi sot reformën e re kurrikulare në arsimin e mesëm të lartë, e cila do të implementohet në shtator të këtij viti, duke filluar me zbatimin e saj në klasat e 10-ta.
Ministrja Lindita Nikolla, gjatë fjalës së saj tha se reforma e re adreson në formë të plotë dhe të qartë gjithë problematikat e shprehura nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, që lidhen me mbingarkesën në gjimnaz, numrin e madh të lëndëve me zgjedhje.
“Kryefjala e të gjithë asaj që mësuesit, nxënësit dhe prindërit kanë përcjellë në sondazhin e realizuar nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit në 13 Drejtoritë Arsimore Rajonale ka qenë se gjimnazi është i mbingarkuar. Gjithashtu ka një disporpocion jo efikas në kurrikulat me zgjedhje, nxënësi nuk i zgjedh vetë lëndët me zgjedhje kur hyn në vit të parë por i zgjedh mësuesi, vështirësia që ka një nxënës për të lëvizur nga një shkollë në një tjetër, etj”, tha ministrja Nikolla.
Në studimin e bërë nga IZHA mbi kurrikulën aktuale të gjimnazit, në të cilin u përfshinë 533 mësues, 569 nxënës dhe 569 prindër të përzgjedhur nga gjimnazet e 13-të DAR-ve në të gjithë vendin, rezultoi se rreth 58% e mësuesve dhe 70% e nxënësve e vlerësojnë shumë të ngarkuar planin mësimor të gjimnazit.
Kurrikula aktuale e gjimnazit ka një numër shumë të madh lëndësh (18 lëndë), krahasuar me kurrikulat e vendeve të tjera evropiane (10-12 lëndë), gjë që sjell mbingarkesë te nxënësit.
Sa u përket lëndëve me zgjedhje ministrja Nikolla tha se pesha që zë kurrikula me zgjedhje në planin mësimor aktual të gjimnazit është e ulët referuar standardit evropian. Kjo peshë, që në planin aktual shkon rreth 17%, ndërkohë që mesatarja në nivel evropian është rreth 30%, kufizon përmbushjen e interesave individuale të nxënësve për kurrikulën shkollore dhe karrierën e tyre.
Ministrja shtoi se me shumë rëndësi është edhe kualifikimi i mësuesve, ndaj do të ketë një program të detajuar ndihme për të trajnuar të gjithë mësuesit e klasave të dhjeta, për të implementuar më pas tekstet e reja, planet e reja mësimore, kurrikulën e re.
Gjatë prezantimit të reformës kurrikulare, Drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit, Gerti Janaqi renditi risitë e saj, duke theksuar se kurrikula e gjimnazit do të jetë e përmirësuar, e lehtësuar e cila bën lidhjen mes reformës së arsimit parauniversitar dhe atij të lartë.
“Në klasën e 10-të dhe të 11-të nxënësit do të kenë një numër lëndësh të caktuara, ndërsa në klasën e 12-të do të kenë pesë lëndë të detyrueshme dhe lëndët e tjera do t’i zgjedhin sipas kritereve që universiteti përcakton për të vazhduar studimet. Nga 18-të lëndë të detyrueshme, me kurrikulën e re janë 12-të lëndë të detyrueshme në klasën e 10-të dhe 11-të dhe vetëm 5 lëndë të detyrueshme në klasën e 12-të  si, gjuha, letërsia, matematika, gjuha e huaj, sporti”, tha Janaqi.
Disa nga risitë e kurrikulës së re janë:
  • Ndarja e gjuhës shqipe nga letërsia
  • Rikthimi i traditës së filozofisë në kurrikulën bazë
  • Zvogëlohet mundësia e zgjedhjes në dy vitet e para të gjimnazit
  • Shtohet numri i orëve me zgjedhje në klasën e 12-të (mbi dhjetë orë)
  • Hiqet sistemi i koeficientëve për lëndët me zgjedhje
  • Zgjidhet më mirë raportin mes kurrikulës bërthamë dhe asaj të avancuar
  • Programet kurrikulare të gjimnazit mundësojnë që të shkruhen tekste shkollore më pak të ngarkuara
  • Modulet kurrikulare plotësojnë nevojën e nxënësve në drejtim të çështjeve prioritare të shoqërisë së shekullit XXI
© GazetaShqip
Share:

1 comment:

  1. Nje mut te madh keni ndryshuar. Po ju s'e dini se si eshte te besh 6 ose 7 ore mesimi cdo jave, me nje pushim 15 minuta qe me zor kemi kohe te blejme nje byrek para shkolles. Tre lendet me zgjedhje prape zgjidhen nga mesuesit, fjala e nxenesit s'ka fare peshe ne vendimet qe merren per arsimimin e vete nxenesit. Ja ku jane tre lende me zgjedhje. Po 13 lendet e tjera? Mendoni se eshte e lehte te pergatitesh per 13 lende? Nxenesit vuajne nga depresioni dhe pagjumesia, per te mos folur per presionin nga mesuesit dhe prinderit. A, se desh harrova, cfare s'po degjojme, ne mes te vitit ministria e arsimit ben nga 10 reforma. Kemi projekte ne cdo lende. Notat qe marrim jane vetem nga provimet, pasi s'ka kohe per te pyetur me goje nxenesit. Kjo perseri tregon se sa efektive jane keto "reformat" qe ju pretendoni se keni bere ne arsim.
    Merreni serozisht punen. Arsimi eshte baza e nje shoqerie, jo nje pazar qe mund te komandohet sipas interesave tuaj.

    ReplyDelete

---
provimetematures@gmail.com
Powered by Blogger.

Popular Posts